Galeria “Omer Kaleshi” në Universitetin “Nënë Tereza” – Shkup
Në Institutin për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u hapë ekspozita personale e piktorit me famë botërore, Omer Kaleshi. “Është kjo një ngjarje me dimensione historike” – tha në fjalën e vet dedikuar veprave të ekspozuara, akademik Luan Starova. Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, dr. Azis Pollozhani, theksoi nderimin e madh që i bën Shkupit dhe gjithë Maqedonisë piktori me famë, i cili asnjëherë nuk e ka harruar vendin e tij të origjinës. Sipas tij, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, që në projektin ideor ka planifikuar ndërtimin e galerisë së veçantë e cila do të mbajë me krenari emrin “Omer Kaleshi”. Në të njëjtën ceremoni u nënshkruajt edhe Memorandumi i mirëkuptimit i cili parasheh themelimin e Galerisë “Omer Kaleshi” e cila do të vendoset përjetësisht në hapësirat e Universitetit “Nënë Tereza”. Kjo paraqet një ngjarje të madhe edhe për Universitetin tonë sepse përveç që kjo është një nder i madh për ne, Universiteti ynë pasurohet me një vlerë të pacenueshme kombëtare dhe bëhet destinacion i pashmangshëm i dashamirësve të artit dhe të veprës së Omer Kaleshit nga të gjitha anët. Në fund, protagonisti kryesor i këtij aktiviteti, piktori i famshëm, z. Omer Kaleshi, falënderoi të gjithë për këtë organizim dhe nderim që i bëhet në Shkup. Ai u shpreh i kënaqur që pas hapjes së galerisë me emrin e tij në Prishtinë, tani së shpejti do të bëhet një gjë e tillë edhe në Shkup.