Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve në Shkup, sot nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, e cila mëton të sigurojë cilësi të re në zhvillimin e shkencës dhe arsimit të lartë shqip në Shkup.

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, prof.dr. Azis Pollozhani, tha se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve, do të mundësojë ngritje në cilësinë e arsimit të lartë shqip në Shkup, përmes projekteve të përbashkëta dhe programeve të reja studimore. “Njëherit, specifikat e veçanta të fushave përkatëse studimore, natyrshëm do të mundësojnë zgjerimin e spektrit për studime në të gjitha ciklet edhe në kryeqendrën tonë”, tha rektori Pollozhani.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve në Shkup, u shpreh se kjo marrëveshje kanalizon bashkëpunimin konkret të këtyre dy institucioneve shumë të rëndësishme shqiptare në kryeqytetin e Maqedonisë. “Ky pra është një parakusht për të konkurruar në tregun e dijes në përmasa më të gjëra rajonale dhe botërore”, tha drejtori Asani.

Marrëveshja e bashkëpunimit parasheh bashkëpunimin edhe në shkëmbimin e kuadrove, studentëve dhe përvojave në fusha të veçanta të cilat do të jenë shumë atraktive për gjeneratat e reja të studentëve.

DSC_0125

By