Shkup, 11.05.2019 Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup zhvilloi Konferencën shkencore ‘Migrimi, mobiliteti dhe mirëqenia sociale në kontekstin e integrimit euro-atlantik’ në të cilën kontribut të tyre dhanë ekspertë nga vendi, Austria, Gjermania, Spanja, Irani, Kosova, Shqipëria dhe Turqia.
Hapjen e konferencës shkencore e bënë rektori i UNT-së, Prof. Dr. Aziz Pollozhani dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Arbër Ademi. Fjalime rasti gjatë hapjes kishin edhe drejtori i Agjencisë së migrimit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Shalvarinov, drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, ambasador Agron Buxhaku dhe rektori i Universitetit të Gjakovës Shaban Buza.
Gjatë fjalës së mirëseardhjes para të pranishmëve, rektori Pollozhani tha se fenomeni i migrimeve po vazhdon, ndërsa të rinjtë duke kërkuar mundësi më të mira gjithnjë e më shumë po bëjnë lëvizje duke shkaktuar “Fenomenin e rrjedhjes së trurit”. Kjo ka sjellë një nevojë serioze për një qasje thelbësisht shkencore në studimin e këtyre fenomeneve. Pollozhani njoftioi se UNT ka bërë studim me studentë të tre univerziteteve, të UNT-së, USHT-së dhe UEJL-it, dhe përmes këtij studimi është arritur deri tek përgjigjet dhe arsyet më të shumta se pse të rinjtë marrin vendim për të lëshuar vendin, duke shtuar se ky studim rasti do të jep kontribut në parandalimin e këtij fenomeni, dhe i njejti si dhe tezat e të pranishmëve tjerë në këtë Konferencë shkencore do të botohen në revistën shkencore ‘Revista e Evropës Juglindore për Zhvillimin e Qëndrueshëm’ (SEEJSD), një revistë vjetore që botohet nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Arbër Ademi në fjalimin e tij informoi për masat e vazhdueshme që ndërmerr qeveria për parandalimin e këtij fenomeni, duke u ofruar të rinjve mundësi të shumta për të ndërtuar të ardhmen në vendlindje.
Profesori nga Universiteti i Vjenës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Austrisë Robert Pichler, në gjuhën shqipe të rrjedhshme ligjëroi mbi ‘Politikat e migrimit në BE dhe sfidat e sigurisë’, profesori turk Jusuf Adigyzel mbi ‘Migrimin e parregullt në Turqi, si një portë drejt Evropës’, ndërsa kandidatja për PhD në Gjermani me origjinë nga Irani Khorshid Khodabakhshreshad prezentoi “Ne dhe të tjerët” (We and Others) në fushën e mbështetjes së refugjatëve.
Sfida e radikalizimit midis migrantëve dhe refugjatëve, ishte temë për të cilën foli Ivana Popçev, ndërsa profesoresha nga Shqipëria Olta Qejvani diskutoi për ndikimin e vendimmarrjes së BE-së mbi migracionin në rajon. Jonida Begaj nga Universiteti ‘Marin Barleti’ në Tiranë kishte temën ‘Analiza krahasuese e marrëveshjeve të asocimit si një instrument ligjor dhe politik i integrimit evropian’, ndërsa Maria de Benito Rodriguez nga Spanja foli për Rolin e Misionit të OSBE-së gjatë krizave të migrimit.
Prorektori i UNT-së, Prof. Dr. Rizvan Sulejmani prezantoi rezultatet nga sondazhi i kryer në tre universitete lidhur me migrimin, ndërsa profesori i programit media dhe kominikim interkulturorë në UNT Agron Kurtishi për mbulimin mediatik të emigrantëve në Maqedoni.