𝐍𝐄 𝐔𝐍𝐓 𝐔 𝐙𝐇𝐕𝐈𝐋𝐋𝐔𝐀 𝐌𝐁𝐋𝐄𝐃𝐇𝐉𝐀 𝐄 𝐑𝐀𝐃𝐇𝐄𝐒 𝐄 𝐊𝐔𝐕𝐄𝐍𝐃𝐈𝐓 𝐓𝐄 𝐐𝐄𝐍𝐃𝐑𝐄𝐒 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐓𝐀𝐑𝐄 𝐏𝐄𝐑 𝐒𝐓𝐔𝐃𝐈𝐌𝐄 𝐒𝐓𝐑𝐀𝐓𝐄𝐆𝐉𝐈𝐊𝐄

𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟎𝟕.𝟏𝟐.𝟐𝟎𝟐𝟏 Në Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup sot u zhvillua mbledhja e radhës e Qendrës Shqiptare të Studimeve Strategjike, projekt ky i cili bashkon rreth 40 ekspertë të fushave të ndryshme nga komuniteti akademik dhe i biznesit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Në fjalën e tij hyrëse, nikoqiri, rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ Prof. Dr. Aziz Pollozhani iu uroi mirëseardhje në ambientet e universitetit të vetëm publik në gjuhën shqipe në Shkup anëtarëve të Bordit të kësaj shoqate, duke shprehur kënaqësinë që mbledhja e radhës mbahet në Shkup. Pollozhani njoftoi ata me gjëndjen e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut në përgjithësi, dhe në UNT në veçanti.

Kryetari i Kuvendit të QSHSS-së, Prof. Dr. Muhamet Mustafa, njëkohësisht President i Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim RIINVEST tha se qëllimi i mbledhjes së sotme është diskutimi mbi Agjendën e Konektivitetit dhe analiza e realizimit të projekteve të deritanishme dhe projekteve që do të realizohen në të ardhmen.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Strategjike, Geri Selenica, prezantoi arritjet e deritanishme, dhe bëri një elaborim të punës 10 vjeçare të qendrës. Informoi se projektet më të rëndësishme për shqiptarët e Ballkanit për momentin janë lidhja me hekurudhë mes Prishtinës dhe Tranës dhe ndërtimi i Portit të ri detar në Porto Romano afër Durrësit. Tha se qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë ndarë mjete për tu bërë studimi i fizibilitetit të hekurudhës që do të lidh dy kryeqytetet.

Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike u themelua në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit Shqiptar, në Nëntor të vitit 2012, në Prizren ku edhe u zhvillua mbledhja e Kuvendit themelues.

Përfaqësues të Këshillit Nismëtar ishin Prof. Dr. Aziz Pollozhani, rektor i UNT-së, përfaqësues nga Maqedonia, Prof. Dr. Muhamet Mustafa përfaqësues nga Kosova dhe z. Geri Selenica përfaqësues nga Shqipëria si dhe intelektualë dhe personalitete tjera nga këto shtete.

Qendra u themelua me synimin që të punojë në identifikimin, zhvillimin, promovimin dhe bashkimin për projekte që gjenerojnë efekte domethënëse zhvillimore në rafshin gjithëkombëtar si dhe për të tejkaluar tiparet e pazhvillueshmërisë ekonomike e sociale në viset ku jetojnë shqiptarët, me qëllim të fuqizimit të tyre në integrimet Euro-Atlantike.