Më 23 shkurt 2026, në Fakultetin e Shkencave Humane, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u organizua me sukses një punëtori dhe këshillim informues për studime dhe bursa në Gjermani dhe Austri, në bashkëpunim me përfaqësues të: DAAD – Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik dhe OeAD – Shkëmbimi Austriak për Shkëmbim Akademik.

Në këtë punëtori ishin të ftuar lektorë nga këta institucione gjermane dhe autriake me seli në Shkup, në përbërje: Susan Veselji Zuka – Lektore e DAAD; Besim Alili, MA – Lektor i OeAD dhe Sarah Kriegel – Asistente e gjuhës (DAAD).

Aktiviteti u realizua me nismën e Prof. dr. Izer Maksutit, profesor në Programin Studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në FSHH. Krahas studentëve dhe kolegeve në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues dhe drejtues të fakultetit dhe universitetit. Të pranishëm ishin prodekania e Fakultetit, Prof. Inor. dr. Arta Bekteshi, ndërsa aktivitetin e hapi me një fjalë përshëndetëse prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Inor. dr. Diturije Ismaili, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të zgjerimit të mundësive për mobilitet akademik të studentëve dhe stafit të UNT-së.

Punëtoria u mbajt në gjuhën gjermane dhe ishte dedikuar për studentët e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, të cilët kishin rastin të marrin pjesë në 3 pjesë tematike: Pluricentrizmi dhe gjuha e përditshme në Gjermani, Austri dhe Zvicër; Sistemi universitar dhe peizazhi akademik në Gjermani (Greifswald & Berlin) dhe Studimet në Gjermani dhe Austri – Gjendja reale nga jeta studentore.

Pas dikutimeve dhe punimeve individuale studentët arritën të fitojnë njohuri për Kulturën akademike, komunikimin formal/informal, strukturën e një punimi seminarik, Integrimin në jetën studentore si dhe mbi mundësinë e punës gjatë studimeve. Studentët u këshilluan edhe për mundësinë e  studimeve  dhe konkurimin për bursa për të gjithë studentët e interesuar të UNT-së.

Në kuadër të punëtorisë u ofruan informacione mbi studimet: Bachelor, Master dhe PhD në Gjermani dhe Austri; Bursa afatshkurtra dhe afatgjata; Kurse verore dhe programe mobiliteti.

Veçanërisht u diskutua për mundësinë e aplikimit për Bursat BAYHOST, në bashkëpunim me Universitetin e Regensburgut. (German summer courses in Bavaria – BAYHOST – Universität Regensburg, https://www.uni-regensburg.de/…/german-courses-in-bavaria).

Studentët u njoftuan me udhëzimet konkrete me: procedurat e aplikimit, përgatitjen e letrës motivuese, rekomandimet akademike dhe këshilla për kompletimin më të saktë të dosjes.  Përfaqësuesit sollën një numër të madh materialesh informuese, si: broshura për studime në Gjermani, libra, posterë dhe kartolina informuese, publikime zyrtare të DAAD dhe materiale të ndryshme në gjuhën gjermane dhe angleze. Në fund të gjitha këto materialu ju shpërndanë studentëve.

Takimi ishte jashtëzakonisht i dobishëm dhe interaktiv, ku studentët patën mundësi të parashtrojnë pyetje të ndryshme mbi: kulturën akademike në Gjermani/Austri; mbi jetën studentore dhe integrimin, mënyrën e aplikimit për bursa; mbi rolin e lektorëve të DAAD/OeAD dhe mundësitë e tjera për  bashkëpunimin institucional. Studentët për të gjithë këta mundësi mund të kontaktojnë me lektorët: Susan Veselji Zuka dhe Besim Alili, MA dhe më shumë të dhëna mund të gjejnë në llinqet përkatëse:

https://www.daad.de/…/saints-cyril-and-methodius…/
https://www.facebook.com/profile.php?id=100076181584319
https://oead.at/…/oead…/standorte-der-lektorate

By