Fjalimi i rektorit

received_10154590142107884.jpegStudente dhe studentë të dashur

Të respektuar pedagog të Universitetit “Nënë Tereza”

…dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë.

                                          Naimi

Jemi në prag të një dite të madhe ku të gjithë ne do të jemi dëshmitarë të fillimit të punës të Universitetit më të ri në gjuhën shqipe “Nënë Tereza” në Shkup.

 

Kësaj ngjarje nuk ka se si mos t´i gëzohet çdo njëri ndër ne, nëse kemi parasysh angazhimin dhe sakrificën e gjeneratave të tëra intelektuale, por jo vetëm, për mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë. Historia e arsimit universitar në gjuhën shqipe në këtë vend, sa është e dhimbshme aq është e lavdishme, gjë që na bën të jemi përgjegjës për të ruajtur, zhvilluar dhe avancuar këtë mision deri në majet më të larta të saj.

 

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë dhënë kontribut të çmuar në edukimin, emancipimin dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm socioekonomik dhe kulturor të shqiptarëve në Maqedoni.  Ato kontribuan drejt ngritjes së vetëdijes tonë kolektive për një hap më përpara në arsim. Këto dy universitete brumosën trurin intelektual shqiptarë për një sfidë të re, ballafaqimin me procesin e integrimit dhe globalizimit që na pret sot e në të ardhmen. Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup do të fuqizojë këto arritje dhe do ti jap një dimension të ri aspiratave legjitime të gjeneratave të reja.

 

Të vetëdijshëm se koha në të cilën jetojmë është koha e zhvillimit teknologjik, digjitalizimit, informimit dhe komunikimit masiv, si dhe menaxhimit profesional të lidhjeve me institucione të ndryshme rajonale dhe globale, inteligjencia shqiptare, rinia jonë e çmuar, u bënë bashkë për ti bërë ballë kësaj sfide. Themelimi i një qendre arsimore –shkencore, siç është Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, që do të merret me studimin e këtyre shkencave, jo vetëm që do të përmbushë një amanet të kahershëm por, duke shfrytëzuar kushte më të favorshme që i ofron kryeqendra, presim të ju krijojë përparësi komparative studentëve tonë karshi të tjerëve.

 

Për këtë qellim menaxhmenti i Universitetit, pedagogët dhe të gjithë faktorët tjerë, duke qenë krenarë që janë nismëtarë të kësaj ideje fisnike, por edhe të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike dhe morale, do të vënë në dispozicionin tuaj të gjitha potencialet dhe do të krijojnë kushtet optimale që ju të realizoni procesin arsimor në mënyrë sa më cilësore. Është misioni ynë që studentët tanë të dalin nga dyert tona të frymëzuar dhe të përgatitur për të ndërtuar dhe për të përmirësuar të ardhmen e tyre. Shpresojmë që studentët tanë të arrijnë të bëhen liderë në fushat e tyre përkatëse dhe të paraqesin vizione të reja për shoqërinë. Për ne, ndërtimi i studentit në individ të mirëformuar do të jetë synimi kyç.

 

Ne jemi entuziastë dhe optimist të pamasë, por e njohim mirë historikun e arsimit në gjuhën shqipe, andaj, jemi të vetëdijshëm se edhe ky Universitet në fillim do të ketë sfida. Por, me angazhimin tonë, me mbështetjen e faktorëve respektiv përgjegjës për sigurimin e kushteve si dhe me mirëkuptimin tuaj, ne jemi të sigurt që do t´ia dalim të jemi në nivelin e detyrës të misionit tonë të përbashkët, të mundësojmë studime cilësore dhe ambient të ngrohtë dhe miqësor universitar. Jemi të sigurt se me punën dhe përkushtimin tonë do të kemi sukses, jo vetëm ti shtojmë vlerat tona kolektive por edhe të nderojmë edhe emrin dhe të bëmat e Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Terezës, emri i së cilës e nderon Universitetin tonë.

 

Dyert tona janë të hapura, ju dëshirojmë mirëseardhje në Universitetin tuaj.

 

Punë të mbarë dhe suksese nga zemra.

                                                                                                                 Ushtrues i detyrës   Rektor

                         Universiteti “Nënë Tereza”– Shkup

                                Prof.dr. Azis K.Pollozhani