𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟏𝟔.𝟏𝟏.𝟐𝟎𝟐𝟐 Në kuadër të aktiviteteve festive të nëntorit, Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup sot në ambientet e Teatrit Shqiptar për fëmijë dhe të rinj në Çarshinë e Vjetër organizoi promovimin e librit studimor të radhës të Prof. dr. Mustafa Ibrahimit ‘Folklori dhe etnokultura shqiptare e Pelagonisë’.
Libri voluminoz, është një përmbledhje me të dhëna nga traditat, doket, këngët, poezitë dhe kultura e shqiptarëve nga Prilepi, Dollneni, Manastiri e Resnja përmban të dhëna që autori i ka mbledhur me pasion për katër dekada, ndërsa nga të pranishmit u cilësua si enciklopedi e vërtetë për Pelagoninë, e vetmja krahinë ku kultura shqiptare nuk ishte shkencërisht e hulumtuar.Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, Prof. Dr. Izet Zeqiri tha se profesor Mustafa Ibrahimi ka bërë një punë shkencore shumë të vështirë dhe të çmuar gjatë 40 viteve të intervistimit të shumë banorëve nga 47 vendbanime të Pelagonisë, ndërsa shtoi se UNT është krenare që ka atë në mesin e profesorëve të tij.
Dy recenzentët e librit Prof. Dr. Zeqirja Neziri dhe Prof.dr. Izaim Murtezani vlerësuan shumë të rëndësishëm daljen në dritë të këtyre fakteve nga jeta e përditshme e banorëve shqiptarë të Pelagonisë, që dëshmojnë për historinë shekullore të tyre në këto troje, dhe për organizimn e jetës shoqërore ndër shekuj.
Autori i librit ‘Folklori dhe etnokultura shqiptare e Pelagonisë’, Prof. dr. Mustafa Ibrahimi tha se mbledhja e të dhënave për afro 40 vite, ishte një punë e vështirë por e papërsëritshme pasi që shumica e të intervisrtuarve nuk jetojnë më, ndërsa të rinjtë nuk i kanë ato të dhëna që i kishin më të moshuarit. Falenderoi për prezencën mysafirët e shumtë mes të cilëve zv.ministri i Kulturës Daim Luçi, Drejtoreshën e Teatrit Dijana Toska, veteranët e arsimi, familjarë dhe kolegë e kolege nga UNT.
Autori i Librit, Prof. dr. Mustafa Ibrahimi është profesor në UNT, ish-kryetar i Senatit ndërsa aktualisht është u.d. dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale.