Ndërtimtari – Konstruktiv

Fakulteti: Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës
Drejtimi: Ndërtimtari – Konstruktiv
Cikli i studimeve: Cikli i parë
Kredi ECTS: 180

Inxhinierët e Ndërtimtarisë analizojnë, projektojnë, ndërtojnë dhe mirëmbajnë gjitha llojet e ndryshme të konstruksioneve inxhinierike të cilat na rrethojnë kudo, si ndërtesat, rrugët, rrjeti hekurudhor, objekte hidroteknike dhe hidroenergjetike, tunele, ura, etj.

Në vitin e parë të studimeve të nivelit bachelor, studimet janë të përqendruara në lëndët themelore si Matematikë, Fizikë, Shkenca kompjuterike, dhe gjuhë të huaj teknike, të cilat janë parakushte për thellim të mëtejmë në lëndët profesionale. Në vitin e dytë dhe të tretë të studimeve bachelor, studimet përqendrohen në lëndët profesionale që janë ngushtë të lidhura me inxhinierinë ndërtimore, si p.sh.: mekanika e dherave, lëngjeve dhe shkëmbinjve, teoria e konstruksioneve, analiza dhe dizajni I konstruksioneve nga betoni, druri, çeliku, etj. Së fundmi, në semestrin e gjashtë të studimeve bachelor, studentët obligohen të zhvillojnë një detyrë projektuese shkollore apo punim shkencor e cila ka për qëllim të vlerësojë njohuritë e fituara të tyre gjatë studimeve 6 semestërshe të bachelor-it.

Grada “Bachelor i ndërtimtarisë / konstruksione” paraqet një mirënjohje akademike (dhe JO diplomë profesionale). Diplomës së Bachelor-it i bashkëngjitet edhe një dokument plotësues, e cila në mënyrë më të hollësishme përshkruan arritjen mësimore të studentit në kontekstin e njohurive të fituara, shkathtësive dhe kompetencave, në përputhje me kornizën vendore dhe Evropiane të kualifikimeve.

Diploma e gradës “Bachelor” së bashku me dokumentin plotësues, i hapin rrugë Bachelorëve të diplomuar të vazhdojnë rrugëtimin e tyre të shkollimit në ciklin e dytë apo Master të shkollimit si në Fakultetin tonë ashtu edhe në universitete tjera, me qëllim të fitimit të gradës inxhinierike “Master i ndërtimtarisë”.

 Ndertimtari - sq-1