Zhitoshë, Prill 2026 – Fushata për promovimin e programeve studimore dhe kushteve të regjistrimit në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u prezantua edhe para maturantëve të gjimnazit “Rilindja”, i cili mbulon nxënës nga rajoni i Prilepit dhe Krushevës.

Në mungesë të drejtorit Miraim Bajrami, i cili ndodhej në ekskursion me nxënësit e viteve të treta, ekipi promovues u prit ngrohtësisht nga profesorët Ersan Alimi, Muzafer Aliu dhe stafi tjetër pedagogjik. Ata njoftuan shkurtimisht për historikun e shkollës, e themeluar në vitin 2014, duke theksuar se aktualisht mësimin e ndjekin rreth 300 nxënës, prej të cilëve rreth 70 janë maturantë.

Programet studimore u prezantuan në mënyrë të detajuar nga Prof. dr. Mustafa Ibrahimi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, i cili përmes prezantimit me slajde elaboroi drejtimet e tetë fakulteteve që funksionojnë në kuadër të UNT-së. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe fillimit të ndërtimit të kampusit modern universitar, i cili do të ofrojë kushte të avancuara studimi, përfshirë infrastrukturë bashkëkohore, bibliotekë moderne, salla sportive, pishinë, si dhe hapësira të gjelbra dhe parkim.

Në aspektin e procesit mësimor, u theksua aplikimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe nxitja e kërkimit shkencor, në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Gjithashtu u përmendën mundësitë që ofron Universiteti përmes projekteve ndërkombëtare si Erasmus+, si dhe funksionimi i Qendrës së Karrierës.

Maturantët ndoqën me interes prezantimin dhe parashtruan pyetje lidhur me programet dhe kushtet e studimit, duke marrë përgjigje të detajuara dhe materiale informuese për ofertën akademike.

By