Të dashur studentë,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar miq,
Pas emërimit tim në postin e rektorit të Universitetit ‘Nënë Tereza” në Shkup, më 26 prill të këtij viti, që i parapriu një procesi demokratik të votimit, i zbatuar për herë të parë në UNT, u zotova se do të punoj me gjithë kapacitetin tim intelektual, para së gjithash për ta përgatitur universitetin tonë me standarde të larta të cilësisë dhe konkurrues në tregun e punës, ndërsa ofertat tona akademike të jenë në përputhje me nevojat reale të tregut.
Ashtu siç thashë ditën e parë, do e përsëris këtu, do punoj me transparencë dhe ndershmëri, do punoj me qëllim që pedagogët të ndjehen si në shtëpi të tyre, studentët të shijojnë ngrohtësinë e tempullit tonë të përbashkët, gjithmonë të jenë të motivuar për studim, të mirësjellshëm me njëri-tjetrin, dhe të etur për dije dhe inovacione.
Shumë të dashur studentë,
Bota akademike ka ndryshuar, ashtu siç po ndryshon çdo ditë bota në përgjithësi. Ky ndryshim vjen si rrjedhojë e avancimit dhe zhvillimit teknologjik, të inteligjencës artificiale, dhe shpikjes së përditshme të pajisjeve inovative, që e bëjnë jetën më të lehtë se kurrë.
Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, si institucion i vetëm publik i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në kryeqytet, me mbi 40 programe studimore, në ciklin e parë dhe të dytë, ka për qëllim që të jetë në hap me këto zhvillime të vrullshme teknologjike. Ka kohë që ne ‘nuk jemi vetëm’, jemi gjithnjë e më pranë botës, dhe bota gjithnjë e më pranë nesh. Tregjet e punës, nuk janë më ‘të tonat’ dhe ‘të atyre’, por është një treg i vetëm i madh, ku secili lufton të jetë pjesë e tij. Sot tregu i punës nuk njeh kufij, nuk njeh prejardhje gjeografike, nuk njeh etni, besime, ky treg njeh dhe dallon vetëm profesionistin dhe joprofesionistin.
Në pesë fakultetet e tij, oferta e UNT-së është tërësisht deficitare, ndërsa kushtet e studimit optimale. Për herë të parë që nga themelimi i shtetit, ju mund të bëheni arkitektë, ndërtues, programues, doganierë, laborantë, politikologë dhe shumë profile tjera. Studimet zhvillohen në gjuhën amtare shqipe, ndërsa shumica e studentëve tanë diplomojnë me njohje të shkëlqyer edhe të maqedonishtes dhe anglishtes.
Menaxhmenti i UNT-së, krahas ofrimit të kushteve sa më të mira për studim, gjatë çdo viti punon në sigurimin e fondeve për bursa studentore, me qëllim të përballimit më të lehtë financiar gjatë studimit, si dhe krijimit të kushteve për aktiviteteve të llojllojshme gjatë qëndrimit në universitet.
Themelimi dhe fillimi me punë i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në vitin 2016, ishte dhe do të ngelet një pikë kthese për rininë e kryeqytetit dhe gjithë vendit tonë, jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen e shumë gjeneratave që do vijnë.
Themelimi i UNT-së, ishte vetëm një kurrorë e sakrificës së shumë gjeneratave para nesh, që luftuan me çdo mjet për të krijuar këtë institucion të cilin e gëzojmë gjithë ne sot.
Historia që i parapriu hapjes së këtij tempulli të dijes është e dhimbshme, ashtu siç është edhe historia e kombit tonë në të kaluarën, dhe kjo na bën që të jemi shumë të kujdesshëm që këtë universitet ta ndihmojmë, të kontribuojmë në ngritjen e tij, imazhin e tij, dhe kjo bëhet vetëm përmes një përkushtimi të madh dhe përmes dhënies së kontributit nga të gjithë ne, studentë, pedagogë, administratorë.
Ne arritëm të themelojmë universitetin, i treti me radhë në gjuhën shqipe në vend, pas UT-së të themeluar me gjak, dhe UEJL-it me ndihmë të madhe të miqve tanë ndërkombëtarë, arritëm të kemi edhe hapësirat dhe objektet tona, për të cilën gjë i jemi falënderues Qeverisë, por ama cakun e themelimit të tij akoma nuk e kemi arritur.
Deri në arritjen e tij na pret shumë punë, dhe unë gjatë këtij mandati 3-vjeçar aspiroj, që të jemi shumë pranë arritjes së cakut të themelimit: krijimi i gjeneratave të shëndosha, të armatosur me dije, me kulturë dhe të gatshëm të kontribuojnë në menaxhimin dhe zhvillimin e vendit. Ne nuk prodhojmë sasi, por cilësi.
Ne synojmë të prodhojmë profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, që do jenë të barabartë me koleget dhe kolegët e tyre nga Bashkimi Evropian, pjesë e së cilit do jemi në të ardhmen.
Ju të nderuar studentë, konkurroni me dije me portugezët, suedezët dhe françezët, ndërsa ju të nderuar pedagogë, konkurroni me kolegët tuaj në universitetet evropiane dhe botërore, me të cilat bashkëpunojmë përmes shumë programeve.
Ne kemi qëllim të përgatisim kuadro për Maqedoninë e Veriut Evropiane, sepse sado që të zgjasë, një ditë do të mbaroj ky tranzicion që në dukje të para është i pafund.
Të nderuar miq,
Ne prodhojmë dije, dhe përmes saj njerëz të dijshëm, sepse ne varemi nga dituria e brezave të ardhshme. Resurset tona natyrore, fatkeqësisht nuk na mundesojnë një të ardhme komode, dhe në të ardhmen na duhen produkte për t’u ofruar tregut ndërkombëtar, dhe nuk njoh produkt më rë mirë se vetë dija.
Unë uroj që të diplomuarit tanë, kudo që vendosin të ndërtojnë karrierën e tyre, të jenë në ballë të proceseve, të jenë menaxherë të kompanive, të paktën aty të aspirojnë, sepse këtë ua kemi borxh prindërve tanë dhe gjeneratave që punuan për ardhmërinë tonë më të mirë, gjeneratave të cilat nuk patën fatin të studjojnë në asnjë gjuhë, por dhanë nga vetja gjithçka që patën që ne të kemi fatin më të mirë. Ne, ua kemi borxh, që dhimbjen e tyre ta shndërrojmë në lavdi dhe krenari.
Me punën Tuaj, nderoni emrin e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Terezë, të cilin e mban universiteti ynë me krenari!
Akad. Asoc. Prof.dr. Izet Zeqiri
Rektor i Universittetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup