Prof. Dr. Izer Maksuti, profesor në Fakultetin e Shkencave Humane, në Programin Studimor të Gjuhës dhe Letërsisë gjermane, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, mori pjesë në Javën e 14-të Ndërkombëtare të Trajnimit të Stafit (14th International Staff Training Week 2026), e organizuar nga Freie Universität Berlin.
Kjo ngjarje ndërkombëtare u zhvillua nga 22 deri më 26 qershor 2026 dhe mblodhi rreth 300 pjesëmarrës nga më shumë se 60 vende të botës, duke përfaqësuar universitete, institute kërkimore dhe institucione të arsimit të lartë. Programi ishte organizuar në njëmbëdhjetë fusha tematike (Tracks), sipas profileve profesionale të pjesëmarrësve.
Java Ndërkombëtare e Trajnimit u organizua nga Freie Universität Berlin në bashkëpunim me Technische Universität Berlin, Humboldt-Universität zu Berlin dhe Berlin Center for Global Engagement (BCGE), duke ofruar një program të pasur akademik dhe profesional me ligjërata, punëtori, diskutime tematike dhe aktivitete të rrjetëzimit ndërkombëtar.
Prof. Maksuti ishte pjesë e grupit tematik kushtuar ndërkombëtarizimit të kërkimit shkencor, me titull “More Open Than Before, Yet Increasingly Restricted: Navigating Contradictory Trends in the Internationalization of Research”, duke u fokusuar në sfidat bashkëkohore të ndërkombëtarizimit të kërkimit shkencor, lirinë akademike, bashkëpunimin ndërkombëtar, sigurinë në kërkime dhe ndikimin e zhvillimeve gjeopolitike në shkencë.
Në kuadër të sesionit “Dealing with Cultural Differences in Cooperation”, Prof. Maksuti mbajti prezantimin me titull: “Language and Power in International Research Cooperation”, ku trajtoi marrëdhënien ndërmjet gjuhës, pushtetit dhe barazisë në bashkëpunimin shkencor ndërkombëtar. Në prezantim u diskutua roli i anglishtes si lingua franca e shkencës, sfidat me të cilat përballen gjuhët me përdorim më të kufizuar në komunikimin akademik, si dhe ndikimi që zhvillimet e inteligjencës artificiale mund të kenë në zvogëlimin ose thellimin e pabarazive gjuhësore në kërkimin shkencor. Prezantimi u shoqërua me diskutim të frytshëm me pjesëmarrësit nga vende të ndryshme.
Gjatë kësaj jave u zhvilluan gjithashtu punëtori tematike, diskutime në grupe, vizita në njësi të ndryshme të Freie Universität Berlin, si dhe aktivitete të shumta të rrjetëzimit profesional, të cilat u mundësuan pjesëmarrësve shkëmbimin e përvojave, njohjen me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe krijimin e kontakteve të reja akademike dhe profesionale.
Gjatë ditëve të trajnimit, Prof. Maksuti zhvilloi gjithashtu takime pune me profesorë, drejtues qendrash dhe koordinatorë të bashkëpunimit ndërkombëtar të Freie Universität Berlin. Në fokus të këtyre takimeve ishin mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Nënë Tereza” dhe Freie Universität Berlin, veçanërisht në fushat e mobilitetit të stafit dhe studentëve, vizitave të shkurtra kërkimore, projekteve të përbashkëta shkencore, sidomos në fushë të gjuhësisë, gjermanistikës dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.
Në këtë kuadër u realizuan takime me përfaqësues të Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare (International Affairs), Berlin Center for Global Engagement, Qendrës së Gjuhëve (Sprachenzentrum), si dhe me profesorë e studiues të fushave të ndryshme, duke krijuar kontakte të reja akademike dhe duke forcuar rrjetin ndërkombëtar të bashkëpunimit të Universitetit “Nënë Tereza”. Përveç programit akademik, Java Ndërkombëtare u karakterizua nga një atmosferë shumë ndërkombëtare, bashkëpunuese dhe frymëzuese, e cila u mundësoi pjesëmarrësve shkëmbimin e përvojave profesionale, diskutimin e praktikave më të mira universitare dhe vendosjen e lidhjeve të reja ndërinstitucionale me kolegë nga universitete prestigjioze të Europës dhe botës.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke kontribuar në zgjerimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, krijimin e partneriteteve të reja dhe promovimin e universitetit në një nga forumet më të rëndësishme europiane për bashkëpunimin universitar dhe kërkimin shkencor.
Freie Universität Berlin renditet ndër universitetet më prestigjioze në botë. Sipas renditjes ndërkombëtare QS World University Rankings 2027, universiteti zë vendin e 98-të në nivel botëror, vendin e 4-të në Gjermani dhe vendin e 35-të në Europë, duke konfirmuar pozitën e tij si një nga qendrat më të rëndësishme europiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
