Shkup, 08.09.2026 – Me rastin e shënimit të 35-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, të përfaqësuar nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, dhe prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim, Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, morën pjesë në pranimin solemn të organizuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, nën kryesimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Afrim Gashi.

Në këtë ngjarje shtetërore, ku morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë, trupi diplomatik, deputetë, ish-funksionarë dhe partnerë ndërkombëtarë të vendit, u reflektua mbi rrugëtimin tredekadësh të shtetit dhe sfidat për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme e funksionale.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, z. Afrim Gashi, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një shteti modern të së drejtës, ku ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, administrata mbetet në shërbim të qytetarëve dhe ku konsolidohet vizioni i përbashkët për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian.

Si një institucion i arsimit të lartë publik i themeluar nga vetë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, UNT mbetet me përkushtimin për të qenë shtyllë arsimore e shkencore në zhvillimin e shoqërisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në përgatitjen e kuadrove të reja që do të çojnë përpara perspektivën europiane dhe përparimin demokratik të vendit.

By