Shkup, 03.02.2026 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, u mirëprit në një takim zyrtar pune në Ambasadën e Katarit në RMV nga Shkëlqesia e Tij, Z. Rashid bin Saeed Al-Khayareen, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Shtetit të Katarit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Rektori Fetaji, i shoqëruar nga prorektorët, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, si dhe sekretari i Përgjithshëm, Dr. Rahim Jashari, patën rastin të diskutojnë mbi mundësitë e shumta të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe institucioneve të arsimit të lartë në Shtetin e Katarit.
Në takim u diskutua bashkëpunimi në projekte kërkimore mbi teknologjinë dhe inovacionin, si dhe shkëmbimi i praktikave të mira për modernizimin e procesit studimor dhe menaxhimit universitar.
Rektori Fetaji shprehu falënderimin e tij për mikpritjen dhe vlerësoi lart rolin e Shtetit të Katarit në mbështetjen e arsimit dhe zhvillimit në rajon. Nga ana tjetër, Z. Rashid bin Saeed Al-Khayareen riafirmoi gatishmërinë e Ambasadës për të shërbyer si urë lidhëse mes UNT-së dhe universiteteve prestigjioze në Katar, me qëllim ngritjen e cilësisë akademike dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
