Shkup, 11.02.2026 – Sot, në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u përmbyll me sukses aksioni i parë i dhurimit vullnetar të gjakut, një nismë që shënon fillimin e një tradite të çmuar humane dhe solidariteti në institucionin tonë.
Aksioni u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Kryqin e Kuq të RMV-së, dega Çair, ku studentët, stafi akademik dhe ai administrativ iu përgjigjën masivisht thirrjes për të kontribuar në shpëtimin e jetëve.
Gjatë orëve të realizimit të këtij aktiviteti në sallën B104, u dëshmua një nivel i lartë i altruizmit dhe përgjegjësisë sociale nga ana e stafit akademik, administrative dhe studentëve.
Rektorati i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë dhuruesit, të cilët përmes këtij akti fisnik treguan se universiteti nuk është vetëm një qendër e dijes, por edhe një vatër e edukimit të vlerave njerëzore.
Gjaku i dhuruar sot është një dhuratë e çmuar për jetën, dhe suksesi i këtij organizimi na inkurajon që aksione të tilla të bëhen pjesë e përhershme e agjendës sonë institucionale.
