Shkup, 18.06.2025 – Në një atmosferë festive dhe solemne, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizoi ceremoninë e Absolventiadës 2025, në të cilën u kurorëzua puna dhe përkushtimi katërvjeçar i gjeneratës së shtatë të absolventëve.
Në këtë ngjarje të rëndësishme akademike, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, iu drejtua të pranishmëve me një fjalim përplot vlerësim dhe motivim për studentët që po përfundonin ciklin e tyre të parë të studimeve. Ndër të tjera, ai theksoi se, ‘sot, me diplomën që merrni, ju bëheni jo vetëm mbajtës të një certifikate akademike, por edhe ambasadorë të Universitetit tonë, bartës të vlerave që përfaqësojmë, dhe kontribuues të ardhshëm në zhvillimin e vendit.’
Ceremonisë iu drejtua gjithashtu kryetarja e Senatit të UNT-së, Prof. Dr. Olivera Petrovska, e cila në fjalën e saj përgëzoi studentët për përfundimin me sukses të studimeve, duke theksuar se kjo arritje është rezultat i përkushtimit të tyre, përkrahjes së familjeve dhe angazhimit të stafit akademik e administrativ të universitetit.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, për herë të parë vlerësoi zyrtarisht alumnët e tij, në shenjë mirënjohjeje për kontributet e jashtëzakonshme dhe lidhjen e vazhdueshme me institucionin. Arritjet e tyre janë dëshmi e gjallë e frymës akademike që kultivon universiteti ynë.
Në kuadër të manifestimit, u shpallën pesë studentët më të dalluar të vitit, nga secili fakultet përkatës, të cilët u nderuan për rezultatet e jashtëzakonshme akademike.







