Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, është themeluar nga ana e Parlamentit i cili solli edhe Ligjin për themelimin e Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 226 e datës 25 dhjetor 2015).
Në kuadër të Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup do të funksionojnë pesë (5) fakultete, edhe atë: Fakulteti i ndërtimtarisë dhe arkitekturës (me programet studimore: Arkitekturë dhe dizajn, Ndërtimtari, Gjeodezi dhe gjeo-informatikë), Fakulteti i shkencave të Informatikës (me programet studimore: Informatikë dhe Informatikë në gjuhën angleze), Fakulteti i shkencave Teknike (me programet studimore: Sistemet elektro-energjetike, Inxhinieri makinerie dhe menaxhment, Inxhinieri e komunikacionit dhe transportit, Inxhinieri ekonomike, Mekatronikë), Fakulteti i shkencave Teknologjike (me programet studimore: Inxhinieri e materialeve dhe nano-teknologjive, Teknologjia ushqimore) dhe Fakulteti i Shkencave Sociale (me programet studimore: Politika sociale dhe puna sociale, Studime evropiane).
Ky universitet do të jetë një mjedis i promovimit të vlerave të mirëfillta arsimore e shkencore, si një qendër që prodhon kuadro që do e çojnë shoqërinë dhe kombin përpara. Universiteti do të funksionojë konform standardeve më të larta ndërkombëtare, duke sjellë cilësi dhe studentë të përgatitur që t’i bëjnë ballë ekonomisë së tregut dhe globalizimit shoqëror.