Shkup, 19.06. 2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti në një takim zyrtar një delegacion të lartë nga Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të kryesuar nga Reis ul Ulema Shaqir ef. Fetahu.
Ky takim u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përkrahjen e ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët.
Reis ul Ulema Shaqir ef. Fetahu shprehu urimet më të përzemërta për rektorin Prof. Dr. Bekim Fetaji me rastin e marrjes së detyrës së re në krye të UNT-së, duke theksuar rëndësinë e këtij institucioni për komunitetin dhe rolin e tij në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Gjatë takimit rektori Fetaji i shoqëruar nga prorektorët, Prof.Inor.dr. Fati Iseni, Prof.Inor.dr. Diturije Ismaili, sekretari i përgjithshëm Pishtar Lutfiu dhe anëtar i senatit Prof.Inor.dr. Argëtim Saliu shprehi mirënjohjen për vizitën dhe vlerësimin e lartë, duke ritheksuar gatishmërinë e Universitetit për bashkëpunim në projekte edukative, kulturore dhe shkencore që kanë për qëllim përparimin dhe përfshirjen e studentëve dhe komunitetit më të gjerë.
Takimi përfundoi me vullnet të ndërsjellë për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe konkretizimin e iniciativave të reja që do të kontribuojnë në forcimin e rolit të UNT-së si institucion gjithëpërfshirës dhe shoqërisht i angazhuar.








