Shkup, 25.06.2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof.Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim pune rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof.Dr. Abdylmenaf Bexheti si dhe rektorin në ardhje Prof. Dr. Sadudin Ibraimi.
Në takimin e punës ku i pranishëm ishin edhe prorektori për Arsim Prof.Inor.dr. Fati Iseni dhe sekretarit të përgjithshëm, Mr. Pishtar Lutfiu, rektori Fetaji si dhe rektori i UEJL-së, Bexheti dhe Ibraimi diskutuan tema të interesit të përbashkët, dhe atë mbi funksionimin institucional të të dy universiteteve, programet e studimeve dhe strategjitë për ngritjen akademike dhe profesionale të të rinjve në vend, me qëllim për forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë mobilitetin akademik, hulumtimin shkencor dhe përfshirjen e përbashkët në projektet ndërkombëtare.
Me këtë rast, rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Bexheti, dhe rektori në ardhje, Prof. Dr. Ibraimi, uruan Prof. Dr. Bekim Fetajin për marrjen e detyrës si rektor i UNT-së, duke i dëshiruar suksese në misionin akademik dhe institucional. Palët këtë takim e vlerësuan pozitiv drejt intensifikimit të marrëdhënieve ndëruniversitare dhe thellimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve arsimore që ndajnë vizione të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë dhe zhvillimit të dijes.






