Tiranë, 16.17.10.2025 – Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës u zhvillua Konferenca Përfundimtare e projektit COUTURE, e mbështetur nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian dhe e udhëhequr nga Kolegji Universum.
Në këtë ngjarje morën pjesë prorektorja e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, dhe Doc. Dr. Genta Spahiu Mirzo, përfaqësuese të institucionit tonë. Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup kontribuoi në projekt me ekspertizën akademike të stafit, duke ofruar trajnime për stafin dhe studentët e institucioneve partnere.
Profesoresha Ismaili ka koordinuar projektin për një periudhë dyvjeçare, ndërsa në zbatim morën pjesë edhe Prof. Inor. Dr. Sani Demiri, Doc. Dr. Genta Mirzo dhe Doc. Dr. Emira Ymeri.
Ngjarja theksoi rëndësinë e inovacionit në kurrikulë, pedagogjisë së qëndrueshme dhe bashkëpunimit universitet – industri, ndërsa partnerët prezantuan rezultate konkrete mbi zhvillimin e moduleve dhe ndikimin praktik të stazheve profesionale.
Një moment i veçantë i konferencës ishte sfilata e modës studentore, ku pjesëmarrësit prezantuan projektet e tyre përfundimtare, duke e shndërruar metodologjinë COUTURE në produkte reale dhe të qëndrueshme.
Projekti COUTURE dëshmoi suksesin e bashkëpunimit ndërkombëtar në lidhjen e arsimit, kreativitetit dhe industrisë, duke krijuar themele për një të ardhme më të qëndrueshme dhe inovative në arsimin e lartë.
