Shkup, 31.10.2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe kompania GeoSensors – AlbMatrix me seli në Tiranë të Republikës së Shqipërisë, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, duke vendosur bazat për një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e kërkimit shkencor, programeve arsimore dhe projekteve inovative teknologjike.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe drejtori i përgjithshëm i GeoSensors – AlbMatrix, z. Emiliano Qose, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik dhe zhvillimit të projekteve teknologjike në rajon.
Ky memorandum synon të krijojë një bashkëpunim afatgjatë dhe të ndërsjellë për zhvillimin e aktiviteteve arsimore dhe kërkimore, duke përfshirë gjithashtu projekte që do të konkretizohen më vonë përmes një memorandumi të veçantë bashkëpunimi, i cili do të rregullojë aktivitetet specifike, në përputhje me kohën, burimet financiare dhe kapacitetet e të dy palëve.
Të dy institucionet u dakorduan që çdo aktivitet i zhvilluar në kuadër të këtij memorandum do të jetë rezultat i konsensusit të përbashkët, duke siguruar koordinim të plotë dhe standarde të larta profesionale.
