Librat “Hyrje në Programim” dhe “Web Programimi” shërbejnë si ura midis teorisë dhe praktikës për studentët e informatikës nga Prof. Dr. Bekim Fetaji
Shkup, 11.11.2025 – Në një atmosferë akademike dhe festive, në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, përpara një audience të përbërë nga staf akademik, administrativ dhe studentë, u zhvillua ceremonia e promovimit të dy librave universitarë të autorit, njëherësh rektor i universitetit, Prof. Dr. Bekim Fetaji, me titujt: “Hyrje në Programim” dhe “Web Programimi”.
Këto dy botime paraqesin një kontribut të rëndësishëm në literaturën teknike në gjuhën shqipe, duke ofruar bazë të fortë teorike dhe qasje praktike për studentët e fushës së informatikës.
Ceremonia u udhëhoq nga Doc. Dr. Genta Spahiu Mirzo, e cila në fjalën hyrëse theksoi rëndësinë e librave mësimorë në gjuhën amtare, duke i cilësuar ato si “monumente të mendjes shqiptare, ura midis traditës dhe modernitetit, dhe investime në të ardhmen tonë kolektive.”
Në fjalën hyrëse të mbajtur në shenjë nderimi për Universitetin, Prof. Inor. Dr. Artan Dermaku, njëherit rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan dhe recensent i librit “Hyrje në Programim”, vlerësoi kontributin e kësaj vepre në pasurimin e literaturës akademike në gjuhën shqipe, duke theksuar se:
“Ky libër është një model për tekstet universitare – një kombinim i shkëlqyer i teorisë dhe praktikës që u shërben studentëve të të gjitha niveleve. Kontributi i tij në fondin e vogël të literaturës teknike në gjuhën shqipe është i jashtëzakonshëm.” Ai shtoi se libri plotëson një boshllëk të rëndësishëm në arsimin universitar, duke ofruar qasje praktike për zhvillimin e kompetencave reale të studentëve në gjuhën C++.
Më pas, Prof. Dr. Aleksandar Dimovski, recensent i dy librave, theksoi se: “Këto botime përfaqësojnë një bazë të fortë akademike dhe praktike për studentët. ‘Web Programimi’ është një udhëzues gjithëpërfshirës që i ndihmon ata të zhvillojnë kompetenca profesionale në teknologjitë moderne si HTML, CSS, PHP dhe MySQL.”
Sipas tij, librat e rektorit Fetaji kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të literaturës shkencore në hapësirën akademike shqiptare.
Në vijim të programit, dekaneja e Fakultetit të Shkencave Informatike, Doc. Dr. Majlinda Axhiu, në recensionin e saj për librat, vlerësoi qasjen pedagogjike dhe strukturën e qartë të materialeve:
“Ky libër udhëzon lexuesin nga konceptet themelore deri te aftësitë e avancuara të zhvillimit të uebit. Çdo kapitull është ndërtuar për të ndihmuar studentët të kuptojnë dhe zbatojnë njohuritë në kontekste reale të punës.”
Në përmbyllje të ngjarjes, fjalën e tij e mbajti autori, rektori UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili falënderoi recensuesit, bashkëpunëtorët akademikë dhe studentët për mbështetjen e vazhdueshme.
Ai theksoi se këto dy libra janë rezultat i përkushtimit të tij ndaj dijes dhe arsimit në gjuhën shqipe: “Shkrimi i tyre ka qenë një akt dashurie për arsimin, për gjuhën shqipe dhe për studentët tanë. Çdo përpjekje e sinqertë, sado e vogël, krijon ndikim të qëndrueshëm.”
Duke iu referuar filozofisë së Nënë Terezës, rektori Fetaji shtoi: “Të gjithë nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
Kjo ngjarje u mbyll me diskutime të hapura mbi rëndësinë e literaturës teknike në gjuhën shqipe dhe sfidat e zhvillimit digjital në arsimin universitar.
Promovimi i librave “Hyrje në Programim” dhe “Web Programimi” u shndërrua në një festë të dijes dhe përkushtimit akademik, ku u theksua rëndësia e krijimit të burimeve cilësore në gjuhën amtare dhe nxitja e mendimit kritik në fushën e shkencave kompjuterike.



