Shkup, Nëntor 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup pati kënaqësinë të jetë nikoqir i takimit ndërmjet raportuesve të Komisionit të Venecias, studentëve dhe dekanëve të fakulteteve juridike të universiteteve në vend, për të diskutuar mbi propozimin ligjor që mundëson dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve që Komisioni i Venecias po realizon me institucionet dhe palët e interesuara, përpara hartimit të opinionit mbi zgjidhjen e propozuar ligjore.

Studentët dhe përfaqësuesit e komunitetit akademik patën mundësinë të paraqesin drejtpërdrejt para ekspertëve ndërkombëtarë argumentet, qëndrimet dhe pritshmëritë e tyre lidhur me këtë çështje.

Për Universitetin “Nënë Tereza”, mundësia e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka një rëndësi të veçantë, pasi lidhet me të ardhmen profesionale të studentëve, respektimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e mundësive të barabarta në ushtrimin e profesioneve juridike.

Ishte kënaqësi të mirëprisnim raportuesit e Komisionit të Venecias, kolegët nga universitetet e tjera dhe studentët, duke krijuar hapësirë për një diskutim të hapur dhe profesional mbi një çështje që prej vitesh preokupon gjenerata të tëra juristësh.

By