𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟐𝟑.𝟎𝟗.𝟐𝟎𝟐𝟏 Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup kurrorëzoi bashkëpunimin me Byronë për zhvillim rajonal, duke nënshkruar Memorandum për zhvillimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit.
Dy nënshkruesit, rektori i UNT-së Prof.Dr. Aziz Pollozhani dhe drejtori i Byrosë për zhvillim rajonal, z.Ramiz Rexhepi u zotuan se në kuadër të veprimtarisë së tyre primare, bashkërisht do të veprojnë dhe do të bashkëpunojnë në interes të realizimit të qëllimeve me interes të përbashkët.
UNT dhe Byroja për zhvillim rajonal, përmes këtij memorandumi shprehin gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të ndërsjellë me qëllim të sigurimit të analizave të nevojshme shkencore, planeve për avancim profesional në kuadër të fushave për zhvillimit të balancuar dhe të qëndrueshëm rajonal, kohezionit më të madh territorial, ekonomive të forta rajonale, qeverisjes efektive dhe inovative si dhe programeve për edukimin dhe përsosmërinë e kuadrove.
Përmes këtij bashkëpunimi dy institucionet do të shkëmbejnë përvoja dhe njohuri shkencore dhe profesionale, do të bashkëpunojnë në fushën e realizimit të programeve edukativo-arsimore dhe realizimit të punës praktike për ciklet studimore deridiplomike dhe postdiplomike, do të përgatisin dokumentet për planet operative për zhvillim të balancuar rajonal, promovimin e qeverisjes efektive dhe inovative dhe aktivite konsultative.
UNT dhe Byroja për zhvillim rajonal do të bashkëpunojnë në drejtim të mbështetjes në organizimin dhe realizimin e konferencave profesionale dhe shkencore, seminareve, tryezave të rrumbullakta, punëtorive, shkollave verore.
Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup nga themelimi i tij pesë vite më pare, ka nënshkruar 50 memorandume bashkëpunimi me institucione nga vendi, rajoni dhe bota.