Shkup, Qershor 2025 – Në kuadër të ceremonisë së Absolventiadës dhe në vazhdën e forcimit të lidhjeve me ish-studentët, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, ndau mirënjohje të veçanta për anëtarët e Bordit të Alumni Asociacionit të UNT-së.
Me këtë rast, u vlerësuan: Berna Masllani, Besar Ferati, Ruvejd Idrizi si dhe Anesa Ismaili, ku këta të diplomuar të suksesshëm, tashmë pjesë aktive e rrjeteve profesionale dhe shoqërore, janë angazhuar në mënyrë të përkushtuar në ndërtimin dhe fuqizimin e Alumni Asociacionit të UNT-së, duke kontribuar në ruajtjen e lidhjes së qëndrueshme ndërmjet ish-studentëve dhe institucionit tonë.
Rektori Fetaji, gjatë ndarjes së mirënjohjeve, theksoi rëndësinë që ka Alumni Asociacioni si urë lidhëse midis të diplomuarve dhe universitetit, duke shërbyer jo vetëm si platformë për bashkëpunim dhe rrjetëzim, por edhe si burim frymëzimi për gjeneratat e reja të studentëve.
UNT do të vazhdojë të mbështesë dhe fuqizojë strukturat e veta alumni, në funksion të promovimit të vlerave akademike, profesionale dhe njerëzore që mbartin të diplomuarit e tij.








