Shkup, Qershor 2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe z. Elton Kazaxhi, kryetar i EMI Italy Academy, nënshkruan një marrëveshje ndërkombëtare bashkëpunimi, në kuadër të forcimit të lidhjeve akademike dhe shkencore ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë takimit, Rektori Fetaji e informoi z. Kazaxhi për zhvillimet akademike të Universitetit “Nënë Tereza”, me theks të veçantë në rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare, përfshirjen aktive në programin Erasmus+, dhe përkushtimin e universitetit në ofrimin e një arsimi cilësor dhe bashkëkohor.
Marrëveshja e bashkëpunimit parasheh një partneritet të thelluar në fushën e psikologjisë dhe neuroshkencave, dhe përfshin, shkëmbime studentore dhe akademike ndërmjet dy vendeve, praktika profesionale dhe stazhe në fushat e psikologjisë, psikoterapisë dhe neuroshkencës, kërkime të përbashkëta shkencore mbi traumën, mirëqenien psikofizike dhe neuroshkencat e aplikuara, programe të mbështetjes psikologjike për studentët e UNT-së, punëtori, masterclass-e dhe specializime në fushën e EMI Therapy, një metodë terapeutike e njohur ndërkombëtarisht.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike dhe kulturore, si dhe konsolidon përkushtimin e përbashkët për një formim inovativ, cilësor dhe të orientuar drejt mirëqenies humane në nivel evropian.





