REKTORI FETAJI PRANOI PERSONALISHT APLIKIMET E PARA TË STUDENTËVE

Shkup, 25.08.2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup sot ka hapur afatin e parë të aplikimeve për regjistrimin e studentëve të rinj në 8 fakultetet dhe mbi 40 programet studimore që ofron.  Aplikimet e para u pranuan personalisht nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji.Për të lehtësuar procesin e aplikimit, për shkak të numrit të madh të kandidatëve të interesuar, në dispozicion është vënë i gjithë kapaciteti akademik dhe administrativ i universitetit.


Në kuadër të këtij viti akademik 2025/2026, UNT ka siguruar dy terminale pagesash me kartelë bankare, në mënyrë që kandidatët të mund të kryejnë shërbimet e tyre brenda kampusit.


Afati i parë i regjistrimit zhvillohet nga 25 deri më 29 gusht 2025 (e premte). Dorëzimi i dokumenteve bëhet çdo ditë nga ora 09:00 deri 14:00. Për këtë vit, UNT ofron gjithsej 2004 vende të lira për kandidatët e interesuar që dëshirojnë të ndërtojnë karrierën e tyre akademike në këtë institucion.


Shpallja e rezultateve preliminare do të bëhet më 1 shtator 2025, ndërsa vendimi përfundimtar për pranim do të shpallet më 2 shtator 2025.


Regjistrimi i studentëve të pranuar do të realizohet nga 2 deri më 5 shtator 2025, periudhë gjatë së cilës ata duhet të regjistrojnë semestrin e parë dhe të fitojnë zyrtarisht statusin e studentit në UNT.

By