Çaçak, Serbi, 20 tetor 2025 – Një delegacion i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, i udhëhequr nga rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe i përbërë nga kryetarja e Senatit, Prof. Dr. Olivera Petrovska, si dhe profesorë, asistentë dhe shtatë studentë të Fakultetit të Shkencave Teknike, bashkë me Mr. Driton Zendeli, realizoi një vizitë zyrtare në kompaninë prestigjioze UNIPROMET në Çaçak të Serbisë, ku u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi strategjik ndërmjet dy institucioneve.
Memorandumi u nënshkrua nga znj. Žaklina Bojović, pronare dhe CEO e kompanisë UNIPROMET, e cila njëherësh mban edhe postin e kryetares së Bordit të Punëdhënësve pranë Fakultetit të Shkencave Teknike në Çaçak. Kjo marrëveshje krijon një urë të fuqishme bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe sektorit industrial, duke vendosur themele të qëndrueshme për përgatitjen praktike dhe profesionale të studentëve të UNT-së.
Ky bashkëpunim nuk është vetëm formal, por një angazhim konkret dhe afatgjatë që ofron mundësi të reja për zhvillim akademik, kërkimor dhe profesional. Përfitimet kryesore që rrjedhin nga ky memorandum përfshijnë, praktika profesionale të avancuara, ku kompania UNIPROMET do të ofrojë mundësi praktike të nivelit të lartë për studentët e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve, duke u mundësuar përvojë reale në mjedis industrial modern.
Trajnime dhe zhvillim profesional, ku do të organizohen trajnime të përbashkëta për stafin akademik dhe studentët e UNT-së, me qëllim që të përmirësohen njohuritë teknike dhe të përvetësohen praktikat më bashkëkohore të industrisë. Qasje në resurset kërkimore, studentët dhe studiuesit e UNT-së do të kenë mundësinë të realizojnë kërkime shkencore në laboratorët dhe pajisjet moderne të kompanisë UNIPROMET, duke lidhur teorinë me praktikën kërkimore.
Partneritet në projekte ndërkombëtare, ku të dyja palët janë zotuar të bashkëpunojnë si partnerë strategjikë në aplikime për projekte ndërkombëtare, si Erasmus+, Horizon Europe dhe fonde të tjera evropiane, me synim rritjen e kapaciteteve për inovacion dhe kërkim shkencor.
Delegacioni i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u prit me mikpritje të ngrohtë dhe vlerësim të lartë nga drejtuesit e kompanisë UNIPROMET, çka dëshmon për seriozitetin dhe dëshirën e përbashkët për një bashkëpunim të frytshëm dhe afatgjatë.
Ky memorandum bashkëpunimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të Fakultetit të Shkencave Teknike në tregun ndërkombëtar të punës, si dhe në forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë, inovacionit dhe industrisë.





