INOVACION, KËRKIM DHE BASHKËPUNIM, UNT PJESË E TAKIMIT TË “HEI2MARKET” NË STAMBOLL
Stamboll, 16-17.10.2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i shoqëruar nga Prof. Dr. Zoran Trifunov, Prof. Dr. Monika Lutovska dhe Prof. Dr. Vladimir Kitanovski, pjesë e takimit dy ditorë ndërkombëtar të projektit “HEI2MARKET”, i cili po zhvillohet në Universitetin e Marmarasë në Stamboll, nën organizimin e Qendrës për Kërkime dhe Zbatime në Nanoteknologji dhe Biomateriale (NBUAM).
Projekti “HEI2MARKET”, që realizohet në kuadër të EIT HEI Initiative, synon të forcojë kapacitetet inovative dhe ndërmarrëse të institucioneve të arsimit të lartë, përmes bashkëpunimit me sektorin e biznesit dhe industrisë, si dhe zhvillimit të strategjive të qëndrueshme për transferimin e dijes dhe inovacionit.
Në këtë takim të rëndësishëm ndërkombëtar u diskutuan tema që lidhen me përparimin dhe rezultatet e deritanishme të projektit, strategjitë e komunikimit dhe përhapjes së rezultateve, shkëmbimin e përvojave nga projektet paraprake të EIT HEI, si dhe planifikimin e kurseve trajnimi për zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe inovative.
Pjesëmarrja e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në këtë ngjarje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit, inovacionit dhe ndërlidhjes së akademisë me tregun e punës, duke theksuar rolin aktiv të UNT-së në rrjetet evropiane të arsimit të lartë dhe në përforcimin e bashkëpunimeve akademike ndërkombëtare.
