Turqi/Stamboll, 16.10.2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin e Marmarasë në Stamboll, ku u prit nga rektori i Universitetit të Marmarasë, Prof. Dr. Mehmet Emin Okur.
Rektori Fetaji, i shoqëruar nga Prof. Dr. Zoran Trifunov, Prof. Dr. Monika Lutovska dhe Prof. Dr. Vladimir Kitanovski, zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e lartë të Universitetit të Marmarasë, në mesin e të cilëve ishin prorektori Prof. Dr. Ümit Süleyman Şehirli, Prof. Dr. Ahu Altınkut Uncuoğlu nga Fakulteti i Inxhinierisë dhe Dr. Sema Gündüz, ligjëruese pranë të njëjtit universitet.
Ky takim u realizua në kabinetin e rektoratit në kampusin Sultanahmet, në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, ku të dyja palët shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta ndëruniversitare.
