Shkup, 31.10.2025 – Në kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u mbajt konferenca ndërkombëtare me temë “Towards a State Plane Coordinate System: Scientific Approaches and Practical Challenges”, ku UNT ishte nikoqir dhe bashkëorganizator së bashku me Institutin e Gjeoshkencave (South-East European Research Institute on Geo Sciences), nën ombrellën e organizatës botërore për gjeodezi FIG (International Federation of Surveyors) dhe organizatës botërore për hartografi ICA (International Cartographic Association), si dhe në bashkëpunim me organizatën evropiane të gjeodetëve EGoS (European Group of Surveyors), Asociacionin Bullgar të Hartografisë, Shoqatën Kroate të Hartografisë, Shoqatën e Gjeodetëve të Kosovës dhe Odën e Gjeodetëve të Maqedonisë së Veriut.

Konferencën e hapi Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili theksoi se kjo ngjarje paraqet një moment të rëndësishëm për komunitetin shkencor rajonal, duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e njohurive në fushën e gjeodezisë dhe kartografisë. Ai shtoi se UNT mbetet i përkushtuar në mbështetjen e kërkimeve shkencore dhe në organizimin e aktiviteteve që avancojnë dijen dhe bashkëpunimin akademik në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Me video-fjalime u drejtuan kryetarja e FIG-ut, znj. Diane Dumashie nga Britania e Madhe, dhe kryetari i ICA-s, z. Georg Gartner nga Austria. Fjalime rasti mbajtën kryetari i organizatës evropiane të gjeodetëve (EGoS), z. Nikos Zacharias nga Greqia, kryetari i Institutit të Gjeoshkencave Geo-SEE, z. Subija Izeiroski, kryetari i Odës së Gjeodetëve të Maqedonisë së Veriut, z. Nikolla Ribaroski, si dhe zëvendëskryetarja e konferencës, znj. Lyubka Pashova nga Bullgaria. Hapjen e konferencës e udhëhoqi Prof. Dr. Bashkim Idrizi, kryetar i Këshillit Ndërkombëtar Shkencor të Konferencës.

Gjatë konferencës u prezantuan gjithsej 13 punime shkencore dhe profesionale nga ekspertë të fushës së gjeodezisë dhe hartografisë, me theks të veçantë në zhvillimin e sistemeve koordinative shtetërore. Punimet përfunduan me një panel diskutimi mbi nevojën e standardizimeve të reja dhe vendosjen e kritereve bashkëkohore për zhvillimin e sistemeve koordinative në epokën e teknologjisë moderne, përfshirë përdorimin e GPS-it, imazheve satelitore, dronëve, skanimit 3D dhe gjeoinformatikës.

Në këtë konferencë dhanë kontribut profesionistë dhe studiues nga 14 shtete, përkatësisht nga Austria, Gjermania, Singapuri, Holanda, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Turqia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia dhe Izraeli, duke e bërë këtë ngjarje një platformë të rëndësishme për bashkëpunim dhe shkëmbim shkencor ndërkombëtar.

By