Shkup, 05.11.2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup pati nderin të mirëpresë para studentëve dhe stafit akademik një ligjëratë të hapur me temën: “Sipërmarrja, Inovacioni dhe Rritja: Stabiliteti dhe Mirëqenia në një Botë në Ndryshim”, të zhvilluar nga Prof. Dr. Glenn Agung Hole, profesor dhe ekspert ndërkombëtar nga Norvegjia.
Në hapje të ligjëratës, fjalë përshëndetëse pati rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili theksoi rëndësinë që kanë këto ligjërata ndërkombëtare për avancimin akademik dhe shkëmbimin e përvojave praktike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
Rektori Fetaji theksoi se përmes bashkëpunimeve të tilla, universiteti forcon rolin e tij në ndërkombëtarizim, inovacion dhe përgatitjen e studentëve për sfidat globale.
Më pas vijoi ligjërata e Prof. Dr. Glenn Agung Hole, i cili foli mbi rolin e sipërmarrjes dhe inovacionit si faktorë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenien shoqërore, duke ndarë përvoja konkrete nga sektori akademik dhe ai privat në Norvegjia dhe më gjerë.
Ligjërata u shoqërua me pyetje dhe diskutime interaktive nga studentët dhe stafi akademik, duke krijuar një atmosferë të gjallë dhe frytdhënëse për shkëmbim idesh dhe perspektivash.
