Shkup, nëntor 2025 – Në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u mbajt ceremonia promovuese e librit më të ri të autorit dhe profesorit të UNT-së, Prof. Dr. Sunaj Raimi, me titull “Përsiatje postmoderniste në Facebook”. Ngjarja u zhvillua përpara një auditori të gjerë me pjesëmarrje nga përfaqësues akademikë, studiues, studentëve dhe dashamirë të librit.

Në këtë promovim morën fjalën dhe ndanë vlerësimet e tyre për librin: rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi, poeti Prof. Dr. Sevdail Demiri, drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve, Prof. Dr. Besnik Emini, si dhe ligjëruesi universitar, Prof. Inor. Dr. Avni Avdiu, të cilët theksuan vlerat letrare, filozofike dhe shoqërore që përçon ky botim.

Në fjalën e tij, rektori Fetaji theksoi se ky botim është “një libër për ne të gjithë, një pasqyrë kritike e kohës sonë dhe një ftesë për vetëdije ndaj gjurmëve digjitale që lëmë dhe realiteteve që ndërtojmë.”

Dekani Ibrahimi vlerësoi anekdotat dhe qasjet filozofike që autori i ka përfshirë, të cilat përcjellin mesazhe të fuqishme për jetën e përditshme.

Ndërsa Drejtori i ITSHKSH-së, z. Emini e cilësoi stilin e autorit si unik dhe të guximshëm, duke theksuar ndërthurjen mes reflektimit filozofik e sociologjik dhe energjisë krijuese të një “rock-kantautori”.

Poeti Demiri foli për guximin intelektual të autorit Raimi në dekonstruktimin e temave të ndjeshme si politika, pabarazitë, feja, dashuria dhe njerëzimi.

Në të njëjtën linjë, Prof. Inor. Dr. Avni Avdiu theksoi origjinalitetin dhe stilin e veçantë të autorit, që i flet një audience të gjerë – studiuesve, kritikëve, poetëve e lexuesve pasionantë të fjalës së shkruar.

Në fund, autori Prof. Dr. Sunaj Raimi falënderoi të pranishmit dhe foli për sfidat e librit në epokën e inteligjencës artificiale, duke theksuar se “kulti i librit dhe rituali i leximit duhet të mbeten të gjalla në çdo kohë.”

Evenimenti u moderua nga Doc. Dr. Arta Xhelili, dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale në UNT.

Në përmbyllje të ngjarjes, u zhvillua një debat interaktiv mes autorit, profesorëve dhe studentëve të pranishëm, ku u shkëmbyen mendime e reflektime rreth ndikimit të rrjeteve sociale në jetën bashkëkohore dhe rolin e letërsisë në epokën digjitale. Diskutimi u karakterizua nga pyetje të hapura, ide të guximshme dhe një frymë e theksuar akademike që pasuroi më tej kuptimin e veprës së promovuar.

By