Shkup, nëntor 2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i shoqëruar nga prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, mirëpritën sot në kabinetin e tij përfaqësues nga Banka Botërore të udhëhequr nga znj. Bojana Naceva, specialiste e Lartë për Arsim dhe Udhëheqëse e Ekipit të Detyrës në Bankën Botërore.

Gjatë takimit, rektori Fetaji, njoftoi mysafirët për zhvillimet e fundit në UNT, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për modernizimin e programeve studimore, avancimin e kërkimit shkencor dhe përmirësimin e infrastrukturës akademike. Ai gjithashtu ndau qëndrimet e tij lidhur me sfidat aktuale me të cilat përballet arsimi i lartë në vend, si dhe nevojën për mbështetje institucionale dhe bashkëpunim ndërkombëtar për ngritjen e cilësisë dhe konkurrueshmërisë së institucioneve arsimore.

Takimi u zhvillua në kuadër të Misionit të Mbështetjes së Zbatimit (3–7 nëntor 2025), pjesë e projektit për Përmirësimin e Arsimit Fillor dhe Programit për Arsimin në Ballkanin Perëndimor (PASA).

Në takim u diskutua për sfidat e arsimit të lartë, zhvillimin e infrastrukturës, trajnimin e mësimdhënësve dhe përdorimin e teknologjive të reja në procesin arsimor, si dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit me Bankën Botërore në fushën e arsimit dhe inovacionit.

By