Shkup, 31.10.2025 – Në prani të përfaqësuesve akademik dhe ndërkombëtarë, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji dhe drejtori nga Organizata Evropiane e Gjeodetëve EGoS (European Group of Surveyors) me seli në Romë të Italisë, z. Nikolaos Zacharias nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, duke vendosur bazat për një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e kërkimit shkencor dhe zhvillimit të programeve arsimore.

Ky memorandum synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional në zhvillimin e programeve të përbashkëta arsimore dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe promovimin e projekteve që kontribuojnë në avancimin e shkencave gjeodezike dhe kadastrale në nivel evropian.

Palët u dakorduan që aktivitetet e ardhshme të përcaktohen në mënyrë të detajuar përmes memorandumeve të veçanta bashkëpunimi, të cilat do të konkretizojnë fushat specifike të veprimit, në përputhje me mundësitë kohore dhe burimet financiare të të dy institucioneve.

Ky akt përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit shkencor evropian dhe një mundësi të re për zhvillimin e ekspertizës profesionale në fushën e gjeodezisë dhe hartografisë.

By