Shkup, nëntor 2025 – Në kuadër të bashkëpunimit akademik ndëruniversitar, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u realizua me sukses ligjërata e hapur nga rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Inor. Dr. Artan Dërmaku, në cilësinë e Profesorit Vizitues.

Ligjërata me temë: “Nga problemet e kënaqshmërisë së kufizuar (CSP) te inteligjenca artificiale moderne, hipergratë, optimizimi dhe prirjet e reja në shkencat kompjuterike”, shënoi një ngjarje të rëndësishme për studentët e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe për të gjithë të pranishmit, duke sjellë një qasje të thelluar mbi zhvillimet bashkëkohore në fushën e inteligjencës artificiale dhe aplikimeve të saj.

Gjatë ligjëratës, profesor Dërmaku ndau përvoja dhe njohuri të çmuara që lidhen me sfidat dhe potencialin e kërkimit shkencor në epokën digjitale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimeve ndërinstitucionale në avancimin e dijeve kompjuterike.

Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, në emër të stafit universitar dhe studentëve, i dorëzoi Mirënjohje rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, për kontributin e çmuar të dhënë si Profesor Vizitues në kuadër të ligjëratës së hapur të organizuar nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.

Ngjarja u zhvillua në një atmosferë akademike të veçantë dhe u ndoq nga profesorë, bashkëpunëtorë dhe studentë të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

By