Edicioni i 9-të i konferencës trajtoi sfidat bashkëkohore të migracionit, qeverisjes dhe kohezionit social

Shkup, 20.11.2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizoi edicionin e 9-të të Konferencës Ndërkombëtare për Migracionin, një ngjarje me rëndësi të veçantë shkencore, e cila mblodhi mbi pesëdhjetë studiues, ekspertë, politikëbërës dhe përfaqësues institucionalë nga vendi, rajoni dhe nga disa vende të Azisë. Konferenca u zhvillua me prezencë fizike dhe njëkohësisht me pjesëmarrje online përmes platformës Google Meet.

Këtë vit, konferenca u karakterizua nga pjesëmarrje e gjerë akademike dhe një program i strukturuar në tre sesione shkencore, përfshirë edhe sesionin online. Nga mbi 50 aplikime, u aprovuan 36 punime shkencore për prezantim. Qëllimi kryesor i konferencës ishte adresimi i dinamikave bashkëkohore të migracionit global, transformimeve socio-ekonomike dhe sfidave të qeverisjes në kontekst ndërkombëtar.

Në fjalën përshëndetëse, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, theksoi rëndësinë e bashkërendimit akademik dhe institucional në studimin e migracionit. Ai potencoi: “Migracioni është një fenomen global në lëvizje, i cili kërkon qasje të bazuar në vlera, shkencë dhe dialog ndërinstitucional. Detyra jonë është të prodhojmë dije që mbron dinjitetin njerëzor dhe udhëheq politika efektive.”

Ai gjithashtu rikujtoi simbolikën e veçantë të Universitetit që mban emrin “Nënë Tereza”, e cila si migrante dhe humaniste mishëron vlerat e solidaritetit, dinjitetit dhe humanizmit.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Lulzim Aliu, vuri në pah rolin themelor të arsimit në proceset migratore, duke theksuar se: “Edukimi është faktori kyç i integrimit dhe zhvillimit. Një sistem arsimor gjithëpërfshirës është investimi më strategjik që një shtet mund të bëjë për të ardhmen e tij.”

Ai trajtoi edhe fenomenin e largimit të të rinjve (“brain drain”), duke theksuar nevojën për krijimin e kushteve që nxisin të rinjtë të kontribuojnë në vend.

Në vijim, znj. Elvisa Drishti nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër theksoi rëndësinë e bashkëpunimit shkencor ndërkufitar. Përfaqësuesi i Agjencisë Kombëtare të Migracionit vuri në dukje sfidat aktuale të politikave migratore, ndërsa Doc. Dr. Arta Xhelili, dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale, nënvizoi rolin e UNT-së si qendër aktive kërkimore në fushën e migracionit.

Gjatë sesionit të parë, Migracioni, Qeverisja dhe Politikat Publike, u trajtuan çështje të sigurisë, politikave migratore, diasporës, ndikimeve gjeopolitike dhe ndryshimeve demografike.

Sesioni i dytë, Migracioni, Rinia, Arsimi dhe Transformimet Sociale, u fokusua në rolin e arsimit, tregut të punës, kapitalit njerëzor dhe zhvillimit socio-ekonomik.

Në sesionin e tretë, Integrimi, Identiteti dhe Kohezioni Social, u trajtuan sfidat e integrimit, identiteti kulturor dhe kohezioni social në mjedise shumëkulturore.

Në emër të trupit organizativ të konferencës dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, rektori Fetaji, në shenjë mirënjohjeje, ndau çertifikata falënderimi për mbështetësit institucionalë të kësaj ngjarjeje, ndër të cilët: zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Lulzim Aliu; diplomatin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në RMV, z. Altin Kelmenti; si dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Migracionit, z. Lulzim Aliu.

Koordinatorja e Konferencës së 9-të Ndërkombëtare për Migracion ishte Doc. Dr. Elisabeta Bajrami Ollogu, e cila udhëhoqi me profesionalizëm procesin organizativ, koordinimin e sesioneve shkencore dhe komunikimin me pjesëmarrësit vendorë e ndërkombëtarë.

Konferenca e 9-të Ndërkombëtare për Migracionin, ku UNT ishte nikoqir, konfirmoi edhe një herë rolin e Universitetit si promotor i kërkimit shkencor në fushën e migracionit dhe si një qendër bashkëpunimi ndërkombëtar.

By