Shkup, nëntor 2025 – Në kuadër të përkujtimit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Muzeu i Alfabetit në Manastir nënshkruan një Memorandum trepalësh bashkëpunimi, i cili shënon themelimin e një partneriteti të ri akademik, kulturor dhe kërkimor ndërmjet tri institucioneve kyçe të vendit.


Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, drejtori i AZGj-së, z. Granit Osmani, dhe drejtori i Muzeut të Alfabetit në Manastir, z. Nuer Arsllani, duke formalizuar vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe promovimin e trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore.


Ky bashkëpunim synon zhvillimin e aktiviteteve kërkimore dhe edukative, promovimin e projekteve të përbashkëta shkencore, forcimin e studimeve gjuhësore dhe historike, si dhe krijimin e një kornize të qëndrueshme për shkëmbim profesional e akademik.


Nënshkrimi i këtij Memorandumi trepalësh paraqet një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke reflektuar përkushtimin e të gjitha palëve në mbështetje të zhvillimit akademik, kulturor dhe shkencor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

By