Shkup, 03.06.2026 – Sot në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u përmbyllën me sukses punimet e edicionit të Shkollës Verore treditore të dedikuar për “Hyrjen në Tregjet Financiare dhe Letrat me Vlerë”. Ky aktivitet intensiv, i cili nisi më 1 qershor, u realizua si një partneritet strategjik ndërmjet Fakultetit Ekonomik të UNT-së dhe Komisionit për Letra me Vlerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke shërbyer si një rrugëtim efikas i transferimit të njohurive teorike drejt praktikës operative të tregut të kapitalit.
Gjatë këtyre tri ditëve, studentët patën mundësinë unike të ndjekin module të rëndësishme që mbuluan bazat e instrumenteve financiare, mjedisin rregullator, etikën në biznes, si dhe strategjitë tregtare dhe analizat financiare, të udhëhequra nga ekspertë të lartë të fushës. Ky trajnim ndihmoi drejtpërdrejt në pasurimin e profilit të tyre akademik dhe në krijimin e një lidhjeje të fortë me tregun praktik të punës.
Në ceremoninë e përmbylljes u ndanë mirënjohje dhe certifikata për të gjithë studentët që ndoqën me sukses programin. Ndarja e mirënjohjeve u realizua nga prorektori Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, kryetarja e Komisionit për Letra me Vlerë, Znj. Bujare Abazi, si dhe dekania e Fakultetit Ekonomik, Prof. Inor. Dr. Bukurie Imeri Jusufi.
UNT dhe KLV përgëzuan studentët për përkushtimin e treguar dhe shprehën gatishmërinë e plotë për të vazhduar këtë bashkëpunim të frytshëm edhe në të ardhmen, duke e konsideruar edukimin financiar të gjeneratave të reja si një shtyllë kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
