Ohër, 2026 – Përfaqësues të stafit akademik të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup morën pjesë në XVIII International Scientific Conference on Service Sector – INSCОSES 2026, të organizuar nga Fakulteti i Turizmit në Ohër, Universiteti “Kliment Ohridski” Manastir.
Në kuadër të konferencës u prezantua punimi shkencor me titull “Customs Modernisation in the Western Balkans: From Reform Milestones to Regional Interoperability”, me autorë, Doc.dr Urim Iseni dhe Prof.dr. Neritan Turkesh.
Punimi trajton procesin e modernizimit të administratave doganore në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës 2010–2023, duke u fokusuar në digjitalizimin e procedurave doganore, menaxhimin e riskut, NCTS, programet AEO, sistemin Single Window dhe shkëmbimin ndërkufitar të të dhënave.
Rezultatet e hulumtimit evidentojnë një drejtim të përbashkët të reformave doganore në rajon, por me ritme dhe rrugë të ndryshme të zbatimit në nivel kombëtar, si dhe një orientim gjithnjë e më të madh drejt interoperabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrja në konferencë paraqet kontribut në promovimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave akademike në fushën e modernizimit doganor dhe lehtësimit të tregtisë.
Gjatë pjesëmarrjes në konferencë, shfrytëzuam rastin që të zhvillojmë një takim edhe me Dekanatin e Fakultetit për Turizëm dhe Hoteleri në Ohër. Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet institucioneve tona, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional.
Biseda u përqendrua në mundësitë për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, organizimin e konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të tjera profesionale, si dhe në krijimin e mundësive për bashkëpunim dhe shkëmbim të stafit dhe studentëve.
