Shkup, 29.10.2026 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti sot në një takim zyrtar zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Astrit Iseni. Pas takimit konstruktiv të dy delegacioneve, u formalizua bashkëpunimi institucional përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi.
Në këtë takim, Rektori Fetaji u shoqërua nga prorektorët e UNT-së, Prof. Dr. Fati Iseni, Prof. Dr. Diturije Ismaili dhe Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, ndërsa zëvendësministri Iseni ishte i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij, Mr. Nimetulla Jakupi.
Gjatë takimit të punës, rektori Fetaji e njoftoi zëvendësministrin Iseni me zhvillimet dhe arritjet akademike të UNT-së, si dhe me kapacitetet e institucionit në fushën e shkencës, arsimit të lartë dhe përgatitjes së kuadrove të reja profesionale.
Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, UNT-ja dhe Ministria e Punëve të Brendshme u pajtuan të vendosin marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi që përfshijnë, shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës ndërmjet personelit akademik dhe ekspertëve të Ministrisë, veprimtari të përbashkëta arsimore dhe kërkimore, përfshirë projekte kombëtare e ndërkombëtare, simpoziume, konferenca dhe botime shkencore si dhe organizimin e trajnimeve, seminareve dhe ligjëratave profesionale, si dhe hapjen e mundësive për praktikë studentore për studentët e UNT-së.
Ky partneritet i ri shënon një hap të rëndësishëm në afirmin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke krijuar ura të reja lidhëse mes akademisë dhe institucioneve të sigurisë publike në vend.
