Shkup, Tetor 2026 – Në kuadër të shënimit të “Tetorit Rozë“ – Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, studentët e Programit Studimor të Psikologjisë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, realizuan një aktivitet ndërgjegjësues dhe sensibilizues në qendër të Shkupit, nën mbështetjen e koordinatores së këtij programi. Këtij angazhimi humanitar i u bashkua edhe Shoqata “Ezra“, e cila ofron mbështetje për pacientet e prekura nga kjo sëmundje, duke forcuar më tej mesazhin e solidaritetit.
Përmes këtij aksioni, studentët përcollën mesazhe të mbështetjes emocionalo-psikologjike, duke u shpërndarë kalimtarëve kartolina me thënie të veçanta ndërgjegjësuese. Secila kartolinë përbënte një ftesë simbolike për të reflektuar mbi rëndësinë e parandalimit, solidaritetit dhe përkrahjes njerëzore ndaj personave që përballen me kancerin e gjirit.
Aktiviteti vendosi theksin mbi faktin se kanceri i gjirit, përveç aspektit fizik, prek thellësisht edhe mirëqenien emocionale, psikologjike dhe marrëdhëniet sociale të individit. Në këtë kuadër, u nënvizua se përballja me sëmundjen dhe procesi i reabilitimit kërkojnë një qasje multidisiplinare, në përputhje me modelin biopsikosocial, ku kujdesi mjekësor, mbështetja psikologjike dhe përkrahja sociale përbëjnë dimensione të pandashme.
Përmes këtij angazhimi komunitar, studentët e Psikologjisë të UNT-së dëshmuan se roli i tyre profesional e shoqëror tejkalon kornizat e auditorëve, duke përmbushur misionin e promovimit të empatisë, kujdesit shëndetësor dhe dinjitetit njerëzor.
