Shkup, 19.11.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup vijon zgjerimin e rrjetit të partneriteteve ndërkombëtare akademike e institucionale, me fokus të veçantë në rritjen e dukshmërisë shkencore, botimet ndërkombëtare të indeksuara në Scopus dhe avancimin e projekteve të përbashkëta hulumtuese e teknologjike. 

Në kuadër të këtyre angazhimeve, UNT ka formalizuar marrëveshje bashkëpunimi me Academic Knowledge Center Ltd. i përfaqësuar nga Milica Tasiç, ndërsa nga ana e Universitetit “Nënë Tereza” nga rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji, si dhe me Academy of Applied Studies Southern Serbia, e përfaqësuar nga drejtori Prof. Dr. Predrag Stamenkoviç. Në këtë takim zyrtar, rektori Fetaji ishte i shoqëruar nga Doc. Dr. Miki Runtev.

Një dimension i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi lidhet me përfshirjen dhe partneritetin ndërkombëtar të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në revistën shkencore të lidhur me përfaqësuesit e Scopus, duke hapur rrugë për bashkëpunim editorial, publikime me standarde të larta akademike dhe rritje të impaktit shkencor të stafit akademik dhe hulumtues të UNT-së.

Sipas marrëveshjeve të nënshkruara, bashkëpunimi përfshin, zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore dhe kërkimore, avancimin e cilësisë, teknologjive të reja dhe zgjidhjeve innovative, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe realizimin e trajnimeve, ligjëratave tematike dhe praktikave profesionale, pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare dhe aktivitete të përbashkëta akademike. 

Përmes këtyre partneriteteve, UNT mbështet kërkimin shkencor të indeksuar në Scopus dhe krijon mundësi të reja për stafin dhe studentët në kuadër të standardeve bashkëkohore të arsimit të lartë.

By