Shkup, 30.09.2024 – Sot, në hapësirat e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në një ambient dhe ceremoni modeste përcollëm me nder dhe mirënjohje tre profesorë të dalluar për në pension, edhe ata: Prof.dr. Aziz Pollozhani themelues dhe rektor i parë i UNT-së, Prof.dr. Rizvan Sulejmani prorektor dhe themelues i vatrës universitare si dhe Prof.dr. Bedri Ademi profesor dhe kontribues në ngritjen dhe zhvillimin e universitetit tonë, të cilët ishin pjesë e shumë sukseseve të përbashkëta që ngritëm ndër vite.
Rektori Zeqiri në emër të gjithë të punësuarve falënderoi profesorët për kontributin e madh të dhënë për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup duke potencuar se ndikimi për ngritjen e këtij tempulli shkencor në kryeqytetin e vendit nuk do të harohet asnjëherë në historinë e UNT-së, si dhe i gjithë ky rrugëtim nuk do të jesë fundi, përkundrazi një kapitull i ri në jetën tuaj, dhe se bashkëpunimi ynë nuk do të mungojë. – tha rektori UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri
Sekretarja e pëgjithëshme pranë UNT-së, znj. Mukades Hajdari gjithashtu falënderoi profesorët e nderuar për bashkëpunimin korekt mes stafit akademik dhe atij administrativ duke potencuar se frymëzimi për dije i mbjellur ndër breza të tërë të rinjsh do ti ndjekë ëndrrat e tyre dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të mirë.
Profesorët gjithashtu patën mundësinë që para gjithë të pranishmëve për fjalim rasti si dhe përshëndetje kolegiale. Profesorët Pollozhani, Sulejmani dhe Ademi kanë qenë shtylla të forta në fushat e tyre, duke shërbyer me përkushtim të palodhur dhe pasion për dijen, ata që nga themelimi i UNT-së, kanë kontribuar në zhvillimin akademik të këtij institucioni duke i dhënë formë akademike shumë gjeneratave studentësh.
Me daljen e tyre në pension, ata lënë pas një trashëgimi të rëndësishme akademike dhe një ndikim të thellë në jetën e të gjithë atyre që kanë pasur privilegjin t’i njohin dhe të mësojnë prej tyre. Puna e tyre do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe mirënjohje të thellë nga komuniteti universitar dhe përtej tij.
Faleminderit profesorëve për kontributin e jashtëzakonshëm dhe përkushtimin e vazhdueshëm. Ata janë dhe do të mbeten pjesë e pandashme e historisë së suksesit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Kjo nuk është një lamtumirë, por një mirënjohje e thellë për gjithçka që kanë bërë.