Shkup, Tetor 2025 – Në edicionin e sivjetshëm të Balkan Green Ideas 2025, ekipi i Fakultetit të Shkencave Teknologjik e përfaqësoi Maqedoninë e Veriut dhe u shpall fitues rajonal në Balkan Green Ideas 2025 me idenë inovative EcoScrub, një krem natyral i krijuar nga mbetjet e kafesë.
Gara e sivjetshme, e cila zgjati pesë ditë dhe u mbajt në Ohër, mblodhi 20 ide të gjelbra nga gjashtë shtete të rajonit. Mes konkurrencës së fortë, ECoScrub u dallua për qasjen e saj kreative dhe të qëndrueshme ndaj mbetjeve organike. Fituesit u zgjodhën nga një juri profesionale ndërkombëtare me përfaqësues nga Belgjika, Austria ,Greqia dhe Bullgaria.
Pas kësaj ideje qëndron një ekip i përkushtuar akademik, Doc. Dr. Zimere Saiti Musliji, Doc. Dr. Drita Abazi dhe Prof. Dr. Sani Demiri. Kërkimet e tyre shumëvjeçare në fushën e qëndrueshmërisë dhe ripërdorimit të biombetjeve kanë shërbyer si bazë shkencore për zhvillimin e këtij produkti inovativ.
Ky sukses përforcon rolin aktiv të UNT-së në promovimin e inovacionit, shkencës dhe qëndrueshmërisë në nivel rajonal.
