Shkup, nëntor 2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup zhvilloi një debat tematik me studentët, i fokusuar në çështjet e ndikimit të huaj, sigurisë digjitale dhe edukimit medial, në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese për përdorimin e sigurt dhe kritik të hapësirës online.

Ngjarja, e titulluar “Të rinjtë në fokus: Ndikimi i huaj, mediat dhe siguria digjitale”, solli diskutime të vlefshme mbi sfidat që paraqesin dezinformatat, profilet anonime dhe burimet joadekuate të informacionit, të cilat ndikojnë në mënyrën se si të rinjtë formojnë perceptimet e tyre shoqërore dhe politike.

Panelistët e ftuar, Prof. Dr. Enver Abdullahu nga UNT, z. Sasho Bogdanovski nga Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuele (AVMU), z. Sevdali Selmani nga Qendra Kombëtare për Përgjigje ndaj Incidenteve Kompjuterike (MKD-CIRT) si dhe z. Avdi Bakiu gazetar, trajtuan temat e rregullimit medial, përhapjes së dezinformimit, sigurisë kibernetike dhe parimeve të orientimit të përgjegjshëm në mjedisin digjital.

Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me Institutin për Studime Komunikimi, dhe u koordinua nga stafi akademik i UNT-së, konkretisht nga dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Inor. Dr. Aleksandar Petkovski, dhe Doc. Dr. Deniz Memedi nga Fakulteti i Shkencave Sociale.

Ngjarja ishte pjesë e Ditëve të Edukimit Medial 2025, duke konfirmuar angazhimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup për të promovuar kulturën e informimit kritik, edukimin medial dhe aftësitë digjitale tek studentët e saj.

By