Shkup, nëntor 2025 – Studentët e Fakultetit të Shkencave Teknologjike, programi studimor Teknologji Ushqimore, pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, ndoqën një mësim klinik të mbajtur nga koordinatorja e cilësisë dhe sigurisë ushqimore, Dr. Bashak Kyçykçakan Nikolovska, përfaqësuese e kompanisë për përpunimin e mishit Apetit Group – Shkup.

Qëllimi i këtij ligjërimi ishte të ofrojë njohje të drejtpërdrejtë me proceset reale të industrisë ushqimore, si dhe me sfidat që shoqërojnë prodhimin dhe kontrollin e cilësisë në këtë sektor.

Gjatë prezantimit u trajtuan proceset kryesore të monitorimit të cilësisë, metodat e kontrollit të parametrave kritikë në ruajtjen e zinxhirit të ftohtë gjatë përpunimit të mishit, si dhe standardet kombëtare e ndërkombëtare të sigurisë ushqimore që zbatohen në industrinë moderne.

Kontrolli i cilësisë dhe siguria ushqimore përbëjnë bazën e çdo procesi teknologjik në industrinë ushqimore, duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, rritjen e besimit në produkte dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë në treg.

Bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe industrisë ka rëndësi të veçantë për zhvillimin profesional të studentëve. Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, ata fitojnë përvojë praktike, kuptojnë dimensionet reale të procesit prodhues dhe ndërveprojnë me ekspert të fushës që zbatojnë standarde të avancuara profesionale ku në të ardhmen e afërt ata do të jenë kompetent dhe të gatshëm për tregun e punës.

By