Shkup, 11.12.2025 – Fakulteti i Shkencave Teknologjike pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup organizoi sot promovimin e dy librave të rëndësishëm, autor i të cilëve është ish-rektori i UNT-së, Prof. Dr. Aziz Pollozhani.Dy veprat, të cilat trajtojnë tema të rëndësishme dhe bashkëkohore të etikës në fushën e shëndetësisë dhe teknologjisë, janë botuar në dy gjuhë: “Sfidat e reja në etikën shëndetësore” si dhe në gjuhën maqedone “Новите предизвици во медицинската етика”.
Në ceremoninë e promovimit morën pjesë personalitete akademike, profesorë, studentë dhe recensentë të veprave, të cilët theksuan rëndësinë e këtyre botimeve për zhvillimin e mendimit bashkëkohor etik dhe për avancimin e praktikave të përgjegjshme në shkencë dhe shoqëri.
Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se botime të tilla janë kontribut i çmuar në pasurimin e literaturës akademike, sidomos në një kohë kur transformimet e shpejta teknologjike kërkojnë rishikim të vazhdueshëm të standardeve etike në shëndetësi dhe në fusha të tjera të dijes.
Ndërsa recensentët, Prof. Dr. Dragan Danillovski dhe Prof. Inor. Dr. Avni Avdiu, vlerësuan nivelin e lartë shkencor të dy veprave, qasjet analitike të autorit dhe rëndësinë e trajtimit të temave që përballen me dilema të reja profesionale, humane dhe juridike.
Redaktorja e botimeve, Prof. Inor. Dr. Ollga Popovska, potencoi profesionalizmin e autorit, koherencën e strukturës së librave dhe mesazhin thelbësor që nxit ndërtimin e një kulture etike në institucionet shëndetësore dhe teknologjike.Në fjalën e tij përmbyllëse, ish-rektori dhe autori i këtyre veprave shkencore, Prof. Dr. Aziz Pollozhani, shprehu falënderimet për të pranishmit.
Ai paraqiti një përmbledhje të tezave qendrore të librave, duke nënvizuar se sfida themelore e epokës moderne qëndron në gjetjen e ekuilibrit mes përparimit teknologjik dhe parimeve të mirëfillta të etikës shëndetësore. Ky harmonizim, sipas tij, është një domosdoshmëri parësore për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të përgjegjshme.
