Shkup, 14.04.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizoi një sesion informativ dhe promovues kushtuar programeve të bursave dhe mundësive të shkëmbimit akademik që ofrohen nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ngjarjen e hapi prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, e cila në emër të Universitetit iu uroi mirëseardhje përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së dhe theksoi rëndësinë e këtyre programeve për avancimin profesional të studentëve dhe stafit akademik të UNT-së.

Gjatë prezantimit, të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë koordinatorin e Programit Alumni pranë Ambasadës së SHBA-së në Shkup, z. Gazmend Ilazi. Ai elaboroi në detaje procesin e aplikimit, kriteret dhe përfitimet nga programet e ndryshme të bursave, duke i inkurajuar studentët që të bëhen pjesë e rrjetit prestigjioz të alumni-ve amerikanë.

Në këtë aktivitet, kishim nderin të dëgjojmë edhe z. Charles M. Santiago Morales, zyrtar për Diplomaci Publike pranë Ambasadës së SHBA-së. Ai ndau informacione me vlerë mbi rolin e diplomacisë publike në forcimin e raporteve ndërmjet dy vendeve dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave arsimore.

Pjesë e veçantë e këtij sesioni ishte diskutimi interaktiv, ku studentët dhe profesorët këmbyen mendime me mysafirët. Përvojat dhe eksperiencat e tyre personale mbi studimet dhe vizitat kërkimore në SHBA i ndanë edhe Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili dhe Prof. Inor. Dr. Isak Idrizi, të cilët dëshmuan mbi ndikimin transformues që këto programe kanë në karrierën akademike.

By