Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Qendrës për Arsim Joformal FLUENT, ka nisur implementimi i projektit “FOKUSIM”, një iniciativë që synon të lidhë dijen universitare me komunikimin bashkëkohor dhe edukimin publik.

Projekti udhëhiqet nga mësimdhënësi i lëndës Psikopedagogji, Mr. sc. Muhamed Jonuzi, dhe është konceptuar si një mundësi që studentët të zbatojnë në praktikë njohuritë e fituara gjatë studimeve.

Pas trajtimit të tematikave nga psikopedagogjia, studentët zhvilluan trajnime mbi komunikimin publik, artin e të folurit dhe paraqitjen profesionale para kamerës. Si rezultat i këtij procesi u realizuan një seri reels-ash edukativë, ku studentët prezantojnë në mënyrë kreative dhe profesionale qëndrime shkencore, reflektime personale dhe koncepte të rëndësishme nga fusha e psikopedagogjisë.

Në fazën e parë të projektit janë përfshirë studentët e vitit të dytë të Programit Studimor të Psikologjisë, si dhe një grup i përzgjedhur studentësh të  vitit të parë.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, FLUENT kujdeset për konceptimin vizual të projektit, dizajnin grafik, incizimin dhe montazhin profesional të materialeve, duke realizuar në praktikë marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në të ardhmen, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe FLUENT synojnë ta zgjerojnë këtë bashkëpunim përmes projekteve të reja, praktikave profesionale dhe aktiviteteve të tjera në interes të studentëve dhe komunitetit.

Realizimi i këtij projekti është mbështetur edhe nga dekanati i Fakultetit të Shkencave Sociale, përkatësisht dekani, Prof. Dr. Bejtulla Emini, dhe prodekanja, Doc. Dr. Nita Belulli Luma, të cilët kanë përkrahur këtë iniciativë si pjesë të avancimit të praktikës universitare. 

By