Itali, 2026 – Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili mori pjesë në mbledhjen e përgjithshme vjetore të COST Action CA24167 – HUMAN-IT, të mbajtur më 24–25 qershor 2026 në “Università del Salento”, Itali.
Ky takim bëri bashkë kërkues shkencorë dhe ekspertë nga mbarë Evropa për të diskutuar mbi ecurinë e projektit dhe për të përcaktuar drejtimet e ardhshme të kërkimit në fushat e transformimit digjital, menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të ardhmes së punës.
Gjatë takimit, prorektorja dha një kontribut aktiv në aktivitetet e Grupit të Punës 3 (WG3): Transformimet Shoqërore, Politikat dhe Tregu i Ri i Punës, ku ajo udhëhoqi diskutimet e një prej nëngrupeve në të cilën u fokusua në avancimin e kërkimit bashkëpunues dhe në identifikimin e prioriteteve që lidhen me implikimet shoqërore të ndryshimeve teknologjike, zhvillimin e politikave dhe transformimin e tregut të punës.
Pjesëmarrja në këtë Mbledhje të Përgjithshme Vjetore forcon më tej angazhimin kërkimor ndërkombëtar të Universitetit dhe nxjerr në pah kontributin e tij aktiv në rrjetet shkencore evropiane në kuadër të programit COST. Përmes përfshirjes së stafit të UNT-së, në projekte të tilla, si HUMAN-IT, Universiteti vazhdon të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar, shkëmbimin e njohurive dhe ekselencën në kërkim për adresimin e sfidave të reja shoqërore dhe teknologjike.
